Kur fëmijët heshtin dhe politikanët nuk dëgjojnë
Kur fëmijët heshtin dhe politikanët nuk dëgjojnë
Në korridoret e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, jo rrallë mund të shihen nxënës që qëndrojnë të vetmuar, shmangin bashkëmoshatarët ose mungojnë për ditë të tëra nga mësimi. Për disa, presioni bëhet aq i madh sa vendosin ta braktisin shkollën krejtësisht. Pas shumë prej këtyre rasteve fshihet një fenomen që vazhdon të sfidojë institucionet arsimore dhe shoqërinë në tërësi: bullizmi. Ai mund të shfaqet në forma të ndryshme – përmes fjalëve fyese, përjashtimit nga grupi, kërcënimeve apo dhunës fizike. Në epokën e rrjeteve sociale, bullizmi nuk ndalet më në oborrin e shkollës. Vazhdon edhe në ekranet e telefonave, përmes platformave si Instagram, TikTok dhe Snapchat. Rasti i ndodhur vitin e kaluar në Gjilan, ku një grup vajzash të mitura ngujuan dhe më pas ekspozuan shoqen e tyre në rrjetet sociale, riktheu në vëmendje përmasat që mund të marrë kjo dukuri. Dhuna nuk mbeti vetëm brenda një hapësire fizike, por u shpërnda online, duke e zgjatur ndikimin e saj përtej momentit të ngjarjes. ( kete se kemi pas ne storje vetem nese don me vendose ne web)
Ekspertët paralajmërojnë se një nga rreziqet më të mëdha është normalizimi i bullizmit. Kur ngacmimet trajtohen si pjesë e zakonshme e rritjes, kur viktimat heshtin nga frika ose turpi dhe kur dëshmitarët zgjedhin të mos reagojnë, fenomeni fiton terren. Megjithatë, pavarësisht ndikimit që ka në mirëqenien emocionale, sociale dhe akademike të fëmijëve, bullizmi vazhdon të zërë pak hapësirë në debatet politike.
Programet e partive politike flasin për familjen, arsimin dhe politikat sociale, por masat specifike për parandalimin e bullizmit mbeten të kufizuara. Në shumicën e rasteve, fenomeni trajtohet në mënyrë të tërthortë, përmes aktiviteteve sociale, mbështetjes psikosociale ose masave të përgjithshme për sigurinë në shkolla.
Ajo që mungon shpesh është adresimi i drejtpërdrejtë i realitetit me të cilin përballen fëmijët çdo ditë – në korridoret e shkollave, në klasë dhe në rrjetet sociale.
Sipas UNESCO-s, bullizmi përkufizohet si një sjellje që shkakton dëm fizik, emocional ose social dhe që karakterizohet nga një pabarazi pushteti ndërmjet personit që ushtron bullizëm dhe viktimës. Kur mekanizmat parandalues nuk funksionojnë, institucionet e sigurisë shpesh bëhen adresa e fundit.
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 604 incidente në shkolla dhe në hapësirat përreth tyre. Sipas policisë, rastet evidentohen bazuar në elementet e veprave penale, ndërsa gjatë hetimeve vlerësohet nëse përmbajnë elemente të bullizmit. Rastet që përfshijnë të mitur trajtohen sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur dhe Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Megjithatë, ekspertët argumentojnë se statistikat zyrtare nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht përmasën e plotë të fenomenit, pasi shumë raste nuk raportohen kurrë.
Një studim i ri evropian, i cili përfshin edhe Kosovën, ofron një perspektivë tjetër mbi mënyrat e luftimit të bullizmit. Sipas gjetjeve të tij, mbështetja ndërmjet nxënësve luan rol kyç në zvogëlimin e rasteve të ngacmimit. Studimi tregon se kur nxënësit mbështesin njëri-tjetrin, raportojnë rastet e bullizmit dhe refuzojnë të qëndrojnë pasivë përballë tyre, ndikimi i fenomenit zvogëlohet ndjeshëm.
Kjo sugjeron se lufta kundër bullizmit nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, shkollave apo policisë. Ajo kërkon angazhimin e gjithë komunitetit – prindërve, mësimdhënësve dhe vetë nxënësve. Derisa politikat publike dhe mekanizmat institucionalë të ofrojnë përgjigje më të qarta dhe më efektive, një gjë mbetet e sigurt: heshtja vazhdon ta ushqejë bullizmin, ndërsa solidariteti dhe reagimi i hershëm mund ta dobësojnë atë.


