UPWARD 2026
UPWARD 2026 kurorëzon talentet e reja të kinematografisë studentore ndërkombëtare
Author
Arta Berisha
Mediume të ndryshme aplikojnë mënyra të ndryshme të rrëfimit dhe ofrojnë mjete të veçanta për ndërtimin e ngjarjes dhe zhvillimin e personazheve. Në veçanti, në film rrëfimi ndërtohet përmes montazhit, pra renditjes së planeve të gjera, planeve të mesme dhe planeve të ngushta, por kjo nuk është e tëra.
Mund ta mendoni çdo plan si një fjali, ndërsa një sekuencë planesh si një paragraf. Çdo plan duhet të sjellë një ide të re, e cila lidhet natyrshëm me rrëfimin dhe e çon historinë përpara.
Këto teknika të rrëfimit u reflektuan edhe në edicionin e tretë të UPWARD Student Film Festival, të organizuar nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës, ku u prezantuan dhjetëra filma studentorë nga vende të ndryshme të botës.
Pas katër ditësh me shfaqje filmash, diskutime, ligjërata, masterklasa dhe takime profesionale, u përmbyll edicioni i tretë i festivalit.
Nga 1,424 aplikime të pranuara nga e gjithë bota, në Programin Zyrtar u përzgjodhën 69 filma nga 36 shtete, duke e shndërruar Prishtinën në një pikëtakim të studentëve, autorëve të rinj, profesorëve dhe profesionistëve të kinematografisë ndërkombëtare.

Ceremonia përmbyllëse nisi me shfaqjen e filmit "Këmbana që s'ra", me skenar dhe regji të Majlind Belulit, dhe vazhdoi me ndarjen e çmimeve për filmat, regjisorët dhe interpretuesit e vlerësuar nga tri juritë e festivalit.
Jurinë Ndërkombëtare e përbënin Agron Domi, Agnes Nokshiqi dhe Ricardo Spencer. Jurinë e Universitetit e përbënin Prof. Albana Berisha, Prof. Avni Puka dhe Prof. Abdulla Rexhepi. Jurinë e Medias e përbënin Mirjeta Baraliu, Arta Berisha dhe Ardiana Thaçi-Mehmeti.
Fituesit e UPWARD 2026
Juria Ndërkombëtare
- Grand Prix – The Rising Film Award: Branches of Solace – regjia Joyanta Kumar Gayen (Bangladesh)
- Regjia më e Mirë – Best Directing: Mateo Di Tommaso për Under an Ancient Skin (Argjentinë)
- Interpretimi më i Mirë – Best Performance: Wioletta Kopańska për The Good Woman (Gjermani/Poloni)
- Mirënjohje: Këmbana që s'ra – regjia Majlind Beluli (Kosovë)
- Mirënjohje: (DIS)CONNECTED – Yoni (Bullgari)
Juria e Universitetit
- The University Spirit Award: The Egotist – regjia Alice M. Horta (Portugali)
Juria e Medias
- The Critical Eye Award: Këmbana që s'ra – regjia Majlind Beluli (Kosovë)
- Mirënjohje: Soma – regjia Aliza Brugger (Shtetet e Bashkuara të Amerikës)
- Mirënjohje: (DIS)CONNECTED – Yoni (Bullgari)
Edicioni i tretë i UPWARD u përmbyll me histori që kapërcyen kufijtë, ide të shkëmbyera, miqësi të reja dhe bashkëpunime që pritet të vazhdojnë edhe përtej festivalit.
Jeni të interesuar për filmin, mënyrën se si ndërtohen imazhet, gjuhën vizuale dhe fuqinë që ato kanë? Na shkruani!