Duke u ngarkuar
Ky libër universitar me licencë të hapur është adaptim i librit Media and Power, i shkruar sipas konceptit Open Education Resource (OER) dhe i publikuar në SHBA, dhe është i dedikuar për një audiencë të Ballkanit. Libri i udhëzon studentët që përmes koncepteve, përmbajtjes dhe ushtrimeve të mësojnë mbi edukimin mediatik duke kuptuar mediat dhe ndikimin e tyre në shoqëri. Autorët synojnë që studentët jo vetëm të fitojnë aftësinë për të analizuar në mënyrë kritike gjuhët dhe diskurset – tekstuale, vizuale, audio dhe kodin – që njerëzit përdorin për të krijuar dhe interpretuar përmbajtjen mediatike, por edhe të kuptojnë kontekstin më të gjerë, pasi mediat kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në shoqëritë bashkëkohore anembanë botës. Atribuimi: Media and Power nga Bettina Fabos, Christopher R. Martin dhe Catherine Helen Palczewski është i licencuar me CC BY-SA 4.0.
Hyrje në Modulin 1
Të gjitha tekstet mediatike – librat, artikujt e lajmeve, emisionet radiofonike, muzika, filmat, reklamat në revista, postimet në Instagram, faqet e internetit, emisionet debatit në televizionet kabllore, madje edhe një mesazh me tekst në telefonin tuaj – janë të ndërtuara. Ato përmbajnë një këndvështrim dhe mbështeten në një grup simbolesh kulturore, përgjithësisht të kuptueshme, për të krijuar kuptim. Çdo tekst mediatik, pavarësisht sa i nënkuptuar mund të jetë, përfaqëson gjithashtu një kornizë ideologjike. Çfarë do të thotë kur Donat Qosja, aktori që luan Naimin në Kafeneja Jonë, pi rregullisht qumësht me pipëz në kafene? Çfarë sugjeron "familja perfekte"në Familja Moderne për rolin e burrave dhe grave në Kosovën e pasluftës? Çfarë përcjell një meme e njohur për politikën? Njerëzit angazhohen me qindra tekste mediatike çdo ditë. Mesazhet mediatike mund të burojnë nga çdo pjesë e shoqërisë. Një grup i fuqishëm mediatik si European Broadcasting Union (EBU) mund të prodhojë spektakle muzikore të drejtpërdrejta me buxhet të lartë, të ndjekura nga miliona njerëz, si Eurovision. Por sot, një e re në të njëzetat si Denisa Demaj (e njohur si Didi) mund të hyjë në TikTok dhe të krijojë një seri memesh dhe skeçesh video që bëhen virale dhe shikohen gjithashtu nga miliona njerëz. (Dhe Didi, ashtu si edhe të tjerë që fitojnë famë në rrjetet sociale, mund të tërhiqen më pas në orbitën e mediave të mëdha për ta shndërruar atë famë në përfitim ekonomik.) Prandaj, deri në çfarë mase mediat e pasqyrojnë shoqërinë dhe deri në çfarë mase ndikojnë mbi të? Kjo është ajo që do të shqyrtojmë në këtë modul. Asgjë nuk prodhohet në një vakum. Prodhuesit e përmbajtjes mediatike bëjnë zgjedhje çdo ditë – zgjedhje estetike, gjuhësore, tematike, ideologjike, narrative dhe përfaqësuese – ndërsa audiencat angazhohen me këto zgjedhje dhe i interpretojnë ato. Në këtë modul, ju do të analizoni përmbajtjen mediatike: diskurset dominuese, të mbetura dhe në zhvillim¹ që dalin nga kanale të ndryshme (duke përfshirë edhe rrjedhat e përmbajtjes në rrjetet sociale të vetë njerëzve), dhe do të përcaktoni se çfarë fuqie ka përmbajtja mediatike mbi ju, çfarë fuqie keni ju në atë marrëdhënie, si dhe çfarë do të thotë edukimi medial në një mjedis mediatik që ndryshon vazhdimisht.