Pesë sekondat e gabimit me AI në gazetari
Pesë sekondat e gabimit me AI në gazetari dhe çfarë mund të shkaktojnë
Autor
Arta Berisha
Më 2 korrik, analisti televiziv dhe drejtori i ORCA-s, Dibran Hoxha, publikoi një video në të cilën kundërshtonte pretendimet e gazetarit dhe opinionistit Lirim Mehmetaj lidhur me përfshirjen e një kompanie të derivateve në një skemë kontrabande. Në video, Hoxha argumentonte se kompania e përmendur nga Mehmetaj nuk figuronte në dokumentet e rastit dhe se pretendimi ishte i pasaktë.
Megjithatë, gjatë prezantimit të materialit vizual u shfaq një grafik ku pranë emrit të një personi të arrestuar, Gazmend Quni, paraqitej edhe biznesi Çuni Petrol / N.P.Sh.T. Çuni. Grafiku krijonte përshtypjen se biznesi kishte lidhje me rastin, ndonëse më vonë rezultoi se një lidhje e tillë nuk ekzistonte.

Tre ditë më vonë, më 5 korrik, Hoxha publikoi një kërkimfalje publike. Në deklaratë ai mori përgjegjësinë për atë që e quajti një lëshim teknik gjatë përgatitjes së materialit vizual dhe sqaroi se, gjatë përdorimit të inteligjencës artificiale, ishte krijuar gabimisht një ndërlidhje ndërmjet emrit Gazmend Quni dhe biznesit Çuni Petrol në Arbanë të Prizrenit. Ai theksoi se biznesi nuk kishte asnjë lidhje me personin e përmendur dhe as me skemën e raportuar, ndërsa kërkoi falje publike biznesit, pronarëve, stafit dhe publikut. Sidoqoftë korrigjimi editorial ende nuk është bërë. Video me këtë gabim ende është e qasshme

Ky rast është një shembull i qartë se si inteligjenca artificiale mund të prodhojë informacione që duken bindëse, por që nuk janë të sakta. Ndryshe nga një gazetar apo hulumtues, AI nuk kupton kontekstin dhe nuk verifikon faktet.

Në fushën e inteligjencës artificiale, këto njihen si hallucinations ose rezultate të fabrikuara nga modeli. Në këtë rast, gabimi zgjati vetëm pak sekonda në ekran. Megjithatë, edhe një grafik i shfaqur për një kohë të shkurtër mund të krijojë një përshtypje të gabuar te publiku. Në momentin e publikimit të këtij artikulli, videoja origjinale vazhdon të jetë e qasshme në rrjetet sociale dhe ka grumbulluar rreth 157 mijë shikime, ndërsa kërkimfalja është publikuar veçmas.