Udhëzime për përdorimin e Inteligjencës Artificiale
KOHA me udhëzime për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në redaksi që nga prilli 2025
Autor
Arta Berisha
Çdo material i prodhuar me ndihmën e IA-së duhet të kontrollohet nga redaktori përkatës para publikimit.
Redaksitë e mediumit KOHA kanë udhëzime të përcaktuara për mënyrën se si gazetarët dhe redaktorët mund ta përdorin Inteligjencën Artificiale (IA) në punën e tyre të përditshme.
Udhëzimi është hartuar dhe miratuar më 21 prill 2025, në një kohë kur përdorimi i mjeteve të Inteligjencës Artificiale po bëhej gjithnjë e më i pranishëm edhe në punën e mediave. Dokumenti përcakton se ku lejohet përdorimi i IA-së, ku vendosen kufizime dhe çfarë përgjegjësish kanë gazetarët dhe redaktorët kur përdorin këto mjete. Sipas dokumentit, qëllimi është që IA të përdoret për rritjen e efikasitetit në redaksi, pa cenuar standardet etike dhe profesionale dhe besueshmërinë e informacionit.
Në KOHË, përdorimi i IA-së lejohet për monitorimin e temave dhe trendeve, transkriptimin dhe përkthimin, korrigjimin drejtshkrimor dhe gramatikor të teksteve, përgatitjen e newsletterëve dhe përmbledhjeve të shkurtra, caktimin e tagave dhe hashtagave, si dhe analizimin e të dhënave dhe automatizimin e disa proceseve në shumë gjuhë. Megjithatë, udhëzimi vendos kufizime të qarta për përdorimin e IA-së në prodhimin gazetaresk. Inteligjenca Artificiale nuk mund të përdoret si burim i vetëm i informacionit, ndërsa raportet, hulumtimet dhe intervistat duhet të realizohen nga gazetarët sipas standardeve profesionale dhe etike.
Dokumenti gjithashtu përcakton se nuk lejohet prodhimi i përmbajtjes vetëm përmes IA-së. Artikujt, fotografitë dhe materialet origjinale duhet të prodhohen dhe të redaktohen nga reporterët dhe redaktorët. Fotografitë, videot dhe materialet audio duhet të jenë origjinale, të prodhuara nga stafi i KOHËS ose të siguruara nga agjenci të licencuara. Përgjegjësia mbetet te gazetarët dhe redaktorët
Një prej parimeve të udhëzimit është se përdorimi i IA-së nuk e zhvendos përgjegjësinë editoriale te teknologjia. Çdo material i prodhuar me ndihmën e IA-së duhet të kontrollohet nga redaktori përkatës para publikimit. Verifikimi i burimeve dhe fakteve mbetet i detyrueshëm. Udhëzimi kërkon gjithashtu kujdes ndaj paragjykimeve ose diskriminimit që mund të shfaqet në materialet e gjeneruara apo të përpunuara me IA dhe kërkon përdorimin e gjuhës gjithëpërfshirëse.
Kur IA përdoret në mënyrë të konsiderueshme në përgatitjen e një materiali, për shembull për një përkthim të plotë ose për analizimin e të dhënave, KOHA përcakton se publiku duhet të informohet për këtë. Rregulla janë vendosur edhe për mbrojtjen e të dhënave. Të dhënat personale, materialet e mbrojtura me të drejtë autori, dokumentet e brendshme dhe informacionet konfidenciale mund të përpunohen vetëm përmes mjeteve të IA-së që janë testuar dhe miratuar nga redaksia.
Stafi inkurajohet të eksperimentojë me mundësitë që ofron IA për ta bërë punën më efikase, por përdorimi i inovacioneve të reja kërkon miratimin e kryeredaktores dhe drejtoreshës menaxhuese.