Nga rrjetet sociale te rrahjet në shkolla
Pse institucionet po dështojnë ta ndalin dhunën
Kamera në korridore, qendra monitoruese dhe shumë premtime për më shtim të sigurisë në shkolla.
Këto janë disa nga masat që institucionet kanë nisur t’i prezantojnë pas rritjes së incidenteve mes nxënësve në Kosovë.
Por, megjithëse në disa shkolla tashmë janë vendosur kamera sigurie, incidentet mes nxënësve vazhdojnë të shtohen pothuajse çdo ditë. Patrullimet e policisë pranë shkollave nuk janë të shpeshta, ndërsa shumë objekte shkollore vazhdojnë të funksionojnë si ambiente të hapura, ku hyrja dhe dalja shpesh nuk kontrollohen.
Në anën tjetër, konfliktet mes nxënësve po bëhen gjithnjë e më agresive dhe shpesh nuk fillojnë më brenda shkollës. Sipas Policisë së Kosovës, një pjesë e madhe e rasteve nisin fillimisht në rrjetet sociale dhe më pas përfundojnë në dhunë fizike. Debatet në TikTok, fyerjet në Instagram, videot poshtëruese apo komunikimet në Snapchat shpesh kalojnë nga ekrani i telefonit në oborret e shkollave.
Një koment, një mesazh apo një video mjafton që konflikti virtual të shndërrohet në përleshje reale. Institucionet pranojnë se trajtimi i këtyre rasteve mbetet i vështirë, sidomos kur në incidente përfshihen të mitur nën moshën 14-vjeçare, të cilët sipas ligjit nuk mbajnë përgjegjësi penale.
Kjo ka hapur debat të ri mes ekspertëve dhe institucioneve: A duhet të ulet mosha e përgjegjësisë penale, apo shteti duhet të investojë më shumë në parandalim dhe rehabilitim? Derisa nuk ka një përgjigje konkrete, shkollat po mbështeten gjithnjë e më shumë te monitorimi.
Por kritikët thonë se kamerat vetëm e regjistrojnë dhunën — nuk e ndalin atë.
Konfliktet që lindin online
Ekspertët e sigurisë dhe psikologët paralajmërojnë se rrjetet sociale po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e konflikteve mes të rinjve. Bullizimi online, videot fyese dhe kërcënimet virtuale shpesh vazhdojnë më pas në ambientet shkollore. Psikologia Hatixhe Qazimi Misini shpalos një nga shumë rastet nw Ferizaj. Ajo tregon për një rast të fundit në shkollën Shkolla "Jeronim De Rada", ku një konflikt mes disa vajzave ishte planifikuar të përfundonte në rrahje. “Në një rast të fundit, disa vajza kishin planifikuar një rrahje me një grup vajzash nga një shkollë tjetër. Pasi kemi marrë informatën nga një nxënëse e shkollës, drejtoria ka reaguar menjëherë. Janë njoftuar prindërit dhe organet e rendit dhe rasti është parandaluar”, thotë ajo. Sipas saj, raste të ngjashme ndodhin shpesh dhe shumica lidhen pikërisht me konfliktet që fillojnë në rrjetet sociale. Ekspertët vlerësojnë se mungesa e psikologëve në shkolla vazhdon të mbetet një nga problemet më serioze. Në shumë raste, konfliktet arrijnë të parandalohen vetëm falë bashkëpunimit mes nxënësve, psikologëve dhe familjeve. Por në shumë shkolla të Kosovës, numri i psikologëve mbetet i pamjaftueshëm, ndërsa disa shkolla nuk kanë fare staf mbështetës profesional.
Mbi 600 incidente në një vit
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar mbi 600 incidente në shkolla ose në afërsi të tyre. Të dhënat tregojnë se trendi i dhunës në shkolla është në rritje.
Ndërkohë, institucionet po vazhdojnë të investojnë në kamera dhe sisteme monitorimi, ndërsa kërkesat për masa më të forta sigurie po shtohen. A do të ishte situata ndryshe nëse secili nxënës do të kishte kartelë identifikimi për hyrje në objekt? A do të parandalohej një pjesë e incidenteve nëse në hyrje të shkollave do të kishte roje sigurie apo kontroll më të rreptë të qasjes? Tani përgjigjja e institucioneve ndaj dhunës në shkolla duket se mbetet kryesisht monitorimi.
Por pyetja kryesore vazhdon të mbetet e hapur:
A po e ndalin institucionet dhunën në shkolla, apo vetëm po e shikojnë atë përmes kamerave?


