"Djali im nuk mund ta ndjekë orën në katin e tretë"
Barrierat me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollat e Kosovës
Çdo mëngjes, për Blerina Zogajn nga Fushë Kosova, dita fillon me një sfidë që për shumë prindër kalon pa u vënë re. Para se djali i saj 8-vjeçar të arrijë në shkollë, ajo duhet të përballet me mungesën e trotuareve, rrugët e ngushta dhe infrastrukturën që nuk është ndërtuar për fëmijët me aftësi të kufizuara. Djali i saj vijon mësimin në shkollën “Mihail Grameno”, por sipas Blerinës, qasja e barabartë në arsim mbetet ende larg realitetit. “Vështirësitë fillojnë që kur dalim nga banesa. Rrugët janë të ngushta, nuk kemi trotuare. Pastaj në shkollë ka pjerrina vetëm në hyrje të objektit, por jo edhe brenda. Djali im e ka të pamundur ta ndjekë orën e mësimit plotësues, sepse ajo mbahet në katin e tretë dhe nuk ka as ashensor e as pjerrina brenda shkollws” thotë ajo. Për familjen e saj, problemi nuk është vetëm transporti apo lëvizja deri në shkollë. Vështirësitë vazhdojnë edhe brenda objektit shkollor. Shumë shkolla në Kosovë mbeten të papërshtatura për nxënësit me aftësi të kufizuara në lëvizje. Objektet janë shumëkatëshe, pa ashensorë funksionalë, ndërsa tualetet në shumicën e rasteve nuk i përmbushin kushtet elementare të qasjes. “As tualetet nuk janë planifikuar për persona me aftësi të kufizuara. Dyert janë të ngushta, karrocat nuk mund të hyjnë dhe mungojnë mbajtëset ndihmëse”, shton Blerina. Sipas përfaqësuesve të HANDIKOS, mungesa e qasjes fizike në shkolla mbetet një nga problemet më serioze për fëmijët me aftësi të kufizuara. Rampat e standardizuara mungojnë në shumë objekte shkollore, ndërsa edhe aty ku janë ndërtuar, shpesh nuk i plotësojnë kriteret teknike të përcaktuara me udhëzime administrative. Kaltrina Misini nga HANDIKOS thotë se ligjet ekzistojnë, por zbatimi i tyre vazhdon të mbetet problematik. “Problem mbetet zbatimi i ligjeve. Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të diskriminohen në secilën fushë të jetës, duke filluar nga infrastruktura. Janë ndërtuar pjerrina, por ato shpesh nuk i përmbushin standardet për persona me aftësi të kufizuara”, thotë ajo. Një hulumtim i realizuar gjatë vitit 2024 në komunën e Prishtinës, ku janë përfshirë 13 shkolla me 283 nxënës me aftësi të kufizuara, nxjerr në pah se sfida
kryesore mbetet lëvizja brenda objekteve shkollore, veçanërisht qasja në katet e sipërme. Problemi nuk kufizohet vetëm në arsim. Edhe UNICEF ka vlerësuar se fëmijët me aftësi të kufizuara mbeten ndër grupet më të përjashtuara nga arsimi dhe shërbimet publike në Kosovë, kryesisht për shkak të barrierave infrastrukturore dhe mungesës së mbështetjes institucionale. Ndërkohë, organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara thonë se proceset politike kanë ndikuar edhe në vonimin e mekanizmave ligjorë që do të garantonin mbrojtje më të fortë të këtyre të drejtave. Sipas HANDIKOS-it, Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara ende nuk është inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës. “Handikos e kishte iniciuar rezolutën për votim në Kuvendin e Kosovës në vitin 2020, por për shkak të mungesës së votave dhe situatës politike, ajo nuk arriti të votohej. Përmes asaj konvente do të krijohej një bazë më e fortë për garantimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara”, thotë Misini. Aktivistët e HANDIKOS-it rekomandojnë që personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre të ndjekin rrugët ligjore në rastet kur institucionet nuk zbatojnë standardet për qasje të barabartë. Por për shumë prindër, si Blerina Zogaj, beteja vazhdon çdo ditë — nga dera e banesës deri te korridoret e shkollës. Dhe derisa ligjet vazhdojnë të mbeten kryesisht në letër, shumë fëmijë me aftësi të kufizuara ende përballen me pengesa që ua kufizojnë të drejtën bazë për arsimim të barabartë.


