Kosova voton disa here brenda vitit.
Kosova voton disa here brenda vitit. Problemet mbesin të njejta
Kosova mund të votojë sërish edhe pas datës 7 qershor, nëse deputetët nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e vendit brenda afateve kushtetuese. Nëse kjo ndodh, qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për herë të tretë brenda një viti. Përderisa partitë politike vazhdojnë të fokusohen në numra, koalicione dhe kalkulime për pushtet, mbetet e paqartë: sa vëmendje po u kushtohet çështjeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, veçanërisht të rinjve.
Në Kosovë, shumë shkolla shndërrohen në qendra votimi sa herë që organizohen zgjedhjet. Të njëjtat objekte që gjatë ditëve të zakonshme shërbejnë për arsimimin e brezave të rinj, në ditët e zgjedhjeve mbushen me qytetarë që votojnë për të ardhmen e vendit.
Por ndërsa politika diskuton për presidentin ose zgjedhjet e radhës, pyetja mbetet: a po prodhojnë këto procese politika konkrete për të rinjtë, apo po përsëriten të njëjtat premtime nga një fushatë në tjetrën? Një hulumtim i publikuar së fundi nga Open Society Foundation tregon se punësimi, shëndetësia dhe arsimi mbeten shqetësimet kryesore të të rinjve në Ballkan. Këto nuk konsiderohen prioritete vetëm për brezin e ri, por edhe për familjet e tyre.
Studimi nxjerr në pah edhe një tjetër realitet. Ndonëse të rinjtë shprehin gatishmëri për të marrë pjesë në zgjedhje, interesimi i tyre për politikën mbetet i ulët.
Në Kosovë, 65.2 për qind e të rinjve të anketuar kanë deklaruar se nuk janë fare të interesuar për politikën, përqindja më e lartë në rajon. Pas Kosovës renditet Maqedonia e Veriut me 50.4 për qind. Gjetjet mbështeten edhe nga diskutimet në fokus-grupe, ku pjesëmarrësit kanë shprehur bindjen se liderët politikë nuk i përfaqësojnë interesat dhe nevojat e tyre.
Por sa ndikon kjo në politikat për të rinjtë? Sipas Rina Kadirit nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), përsëritja e zgjedhjeve po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin dhe zbatimin e politikave rinore.
“Përsëritja e zgjedhjeve e vonon zhvillimin dhe zbatimin e politikave rinore. Fokusimi i vazhdueshëm i institucioneve dhe partive politike në fushata elektorale lë në hije hartimin e strategjive afatgjata apo përditësimin e atyre ekzistuese kur vjen puna te të rinjtë.
Si rezultat, shumë nisma dhe projekte mbeten në gjysmë ose ndërpriten për shkak të ndryshimeve politike dhe stagnimit politik që Kosova ka përjetuar për më shumë se një vit.
Mungesa e stabilitetit institucional sjell gjithashtu mungesë vazhdimësie në zbatimin e programeve për arsim, punësim dhe zhvillim profesional, duke penguar përparimin real të të rinjve dhe duke ulur investimet në këtë fushë”, thotë Kadiri.
Që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë janë mbajtur tetë palë zgjedhje parlamentare. Kjo do të thotë se vendi ka shkuar në zgjedhje pothuajse çdo dy deri në tre vjet, dhe jo çdo katër vjet, siç parashihet me mandatin e rregullt qeverisës.
Madje, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 kushtoi rreth 11.5 milionë euro.
Nëse kjo shumë merret si bazë krahasimi, rezulton se që nga pavarësia janë shpenzuar dhjetëra milionë euro për procese zgjedhore – një faturë e konsiderueshme për një vend që vazhdon të përballet me sfida të mëdha në arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik.
Por çfarë ka ndryshuar nga ky cikël i përsëritur zgjedhor?
Kur kuvendet shpërndahen para kohe dhe qeveritë rrëzohen shpesh, ligjet nisin të hartohen, por shumë prej tyre mbesin të papërfunduara. Proceset ndërpriten, prioritetet ndryshojnë dhe reformat mbeten peng i krizave politike. Për pasojë, zgjedhjet e shpeshta nuk po maten vetëm me koston financiare. Kostoja më e madhe mund të jetë koha e humbur për adresimin e problemeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
Dhe ndërsa Kosova mund të përballet sërish me një tjetër proces zgjedhor, shumë nga shqetësimet që të rinjtë rendisin si prioritare – arsimi cilësor, punësimi dhe perspektiva për të ardhmen – vazhdojnë të mbeten po aty ku ishin edhe para zgjedhjeve të fundit.
Në fund, pyetja nuk është vetëm nëse Kosova do të votojë sërish. Pyetja është nëse zgjedhjet po prodhojnë zgjidhje reale, apo vetëm po përsërisin një cikël
politik ku mandatet ndryshojnë më shpesh sesa problemet që qytetarët presin të zgjidhen.


