Një objekt, dy shkolla:
Si po zhvillohet mësimi në objektet e mbingarkuara të Prishtinës
Në korridoret e gjimnazit të shkencave shoqërore “Ahmet Gashi” në Prishtinë, zhurma e nxënësve nuk ndalet pothuajse asnjëherë. Pas përfundimit të një ndërrimi, një grup nxënësish largohet me nxitim nga klasat, ndërsa një tjetër pret të hyjë brenda pak minutash. Ky objekt nuk i shërben vetëm një shkolle. Në të njëjtat hapësira ku vijojnë mësimin nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi”, mësimin e ndjekin edhe nxënësit e gjimnazit “Eqrem Çabej”. Dy shkolla, një objekt, dy hyrje, orare të kufizuara dhe hapësira të përbashkëta që tashmë po krijojnë vështirësi të vazhdueshme në organizimin e procesit mësimor. Kabinetet, laboratorët dhe klasat përdoren nga të dyja shkollat. Në disa raste, nxënësit detyrohen të përfundojnë aktivitetet më herët për t’ua liruar hapësirën ndërrimeve të tjera. Drejtori i SHML “Ahmet Gashi”, Haxhi Metaj, thotë se situata ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e mësimit. “Vështirësi ka natyrisht, sepse kemi kufizime të hapësirave. Nuk kemi kabinete dhe infrastrukturën që kemi pasur më herët. Kjo ka ndikuar shumë në cilësinë e arsimit”, ka deklaruar ai për Institutin Spiranca. Sipas tij, në këtë shkollë mësimin e ndjekin rreth 1200 nxënës, ndërsa ende nuk ka një vendim përfundimtar se si do të organizohet funksionimi i dy shkollave nga shtatori i vitit 2026. “Po presim një vendim nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës nëse do të ketë unifikim apo një zgjidhje tjetër për nxënësit e dy shkollave”, thotë Metaj. Problemet nuk ndalen vetëm te infrastruktura. Nxënësit tregojnë se ndarja e objektit ka sjellë kufizime në orare, mungesë të hapësirave praktike dhe dëmtime të inventarit shkollor. “Kemi pasur kabinete, por tash nuk i kemi më. Edhe bankat dhe objektet po dëmtohen, sepse nuk ruhen sa duhet”, thotë Ermal Rrahmani, nxënës i klasës së 11-të. Ndërsa Vlera Zuqolli thotë se shpesh orët zhvillohen me kohë të shkurtuar. “Gjithçka bëhet me nxitim, sepse duhet të lirohen klasat për ndërrimin tjetër”, thotë ajo. Situata të ngjashme nuk janë të izoluara vetëm në këtë shkollë. Sipas të dhënave të Komunës së Prishtinës, aktualisht nëntë shkolla në kryeqytet funksionojnë duke ndarë objekte shkollore. Një prej rasteve të tjera është organizimi i mësimit në shkollën “Xhevdet Doda”, ku mësimin e zhvillojnë edhe nxënësit e klasave të larta nga shkollat “Xhemail Mustafa” dhe “Faik Konica”. Ndërkohë, në objektin e “Faik Konicës” vijojnë mësimin nxënësit nga klasat e ulëta. Komuna e Prishtinës e arsyeton këtë organizim me zgjerimin e mësimit tërëditor dhe mungesën e hapësirave të mjaftueshme shkollore. Zyrtarët komunalë kanë deklaruar se është duke vazhduar procesi i ndarjes së institucioneve që aktualisht funksionojnë në objekte të përbashkëta. Megjithatë, zgjerimi i mësimit tërëditor edhe në shkolla të tjera mund të krijojë nevojën që më shumë objekte shkollore të ndahen mes institucioneve të ndryshme. Problemi lidhet edhe me zhvillimin urban të Prishtinës. Në vitet e fundit, kryeqyteti ka shënuar rritje të shpejtë të ndërtimeve dhe popullsisë, ndërsa ritmi i ndërtimit të objekteve të reja shkollore nuk ka ndjekur të njëjtën dinamikë. Në Strategjinë e Arsimit 2022–2026 të Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit parashihet ndërtimi i 28 shkollave të reja në nivel vendi, si pjesë e përmirësimit të infrastrukturës arsimore. Por ende mungon një pasqyrë e qartë publike se sa prej tyre janë ndërtuar dhe në cilat zona janë funksionalizuar. Sipas Udhëzimit Administrativ për normat teknike të planifikimit hapësinor, për shkollat fillore dhe të mesme duhet të sigurohen së paku 2.8 metra katrorë hapësirë për kokë banori në parcelën kadastrale. Kjo nënkupton se lagjet me rritje të shpejtë të popullsisë duhet të planifikohen paralelisht edhe me ndërtimin e objekteve të reja shkollore. Por në shumë pjesë të Prishtinës, realiteti duket ndryshe. Derisa strategjitë flasin për reforma dhe investime në arsim, shumë nxënës vazhdojnë të mësojnë në objekte të mbingarkuara, me orare të kufizuara dhe hapësira të ndara mes dy shkollave.
Për ta, mungesa e hapësirës nuk është vetëm çështje organizimi. Ajo po ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si zhvillohet mësimi çdo ditë.


