Rrjetet sociale më të forta se shteti
Pse Kosova s’po i mbron fëmijët online
Në shumë vende të botës, qeveritë po përpiqen të vendosin kufizime të forta për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët.
Shqetësimet janë të shumta: varësia nga ekrani, ndikimi në shëndetin mendor, çrregullimet e gjumit dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dëmshme. Por në Kosovë, institucionet pranojnë se kontrolli mbi këto platforma mbetet POTHUAJSE I PAMUNDUR.
Pavarësisht diskutimeve për kufizimin e TikTok-ut dhe platformave të tjera për fëmijët nën moshën 16-vjeçare, realiteti tregon se të miturit vazhdojnë të hapin llogari pa asnjë pengesë reale. Mjafton një datëlindje e rreme dhe qasja në platformë lejohet menjëherë.
Shefja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dërmaku, thotë se Kosova përballet me kufizime serioze teknike dhe ligjore për ta kontrolluar përdorimin e rrjeteve sociale.
Sipas saj, mungesa e mekanizmave shtetërorë për mbikëqyrjen e internetit e bën shumë të vështirë ndërhyrjen ndaj platformave globale si TikTok, Instagram apo Snapchat.
“Duhet ta kemi parasysh që Kosova ende nuk e ka domenin shtetëror dhe nuk ka një sistem të centralizuar të mbikëqyrjes së ofruesve të internetit. Ky është hapi i parë që e pamundëson kontrollimin e këtyre platformave gjigante”, deklaron Sogojeva.
Ajo thotë se Agjencia ka kërkuar nga TikTok-u që mosha minimale e përdorimit të rritet nga 13 në 16 vjeç, por edhe kjo, sipas saj, nuk garanton mbrojtje reale. “Në Kosovë ekziston mundësia që qytetarët të kyçen përmes ofruesve të ndryshëm të internetit dhe të hapin llogari edhe kur janë nën moshën e lejuar. Për më tepër, shumë përdorues nuk japin të dhëna të sakta për moshën”, shton ajo.
Një test i thjeshtë në TikTok tregon se sistemi i verifikimit të moshës mund të manipulohet lehtësisht. Platforma nuk kërkon dëshmi reale për identitetin apo moshën e përdoruesit, duke lejuar praktikisht çdo fëmijë të krijojë llogari.
Algoritmi që i mban fëmijët të lidhur
Ekspertët e shëndetit mendor paralajmërojnë se rrjetet sociale nuk janë më vetëm hapësira argëtimi, por platforma të ndërtuara për të mbajtur përdoruesit sa më gjatë online.
Psikologia Arbnora Kllokoqi thotë se përdorimi i pakontrolluar i teknologjisë po ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien emocionale të fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Sipas hulumtimeve të fundit, një ndër faktorët kryesorë që ndikon në shëndetin mendor të fëmijëve është krahasimi i vazhdueshëm me videot dhe fotografitë që shfaqen në rrjete sociale. Fëmijët krijojnë standarde jo reale për jetën dhe pamjen e tyre”, thotë ajo.
Një tjetër problem, sipas saj, është përdorimi i telefonit para gjumit. “Nëse teknologjia përdoret një orë para gjumit, atëherë ka shumë gjasa që të shfaqen çrregullime të gjumit. Ndërsa përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale lidhet edhe me simptoma depresive”, shton Kllokoqi. Shqetësimet për ndikimin e rrjeteve sociale nuk kufizohen vetëm në Kosovë. Në Shtetet e Bashkuara, kompani si TikTok, Instagram dhe Snapchat janë përballur me procese gjyqësore që pretendojnë se platformat janë dizajnuar për të krijuar varësi tek përdoruesit, veçanërisht tek fëmijët dhe adoleshentët. Ekspertët përmendin disa funksione që konsiderohen si mekanizma të varësisë digjitale:
- “Infinite scrolling” – lëvizja pa fund në përmbajtje;
- rekomandimet përmes algoritmit, që vazhdojnë të sugjerojnë video të ngjashme;
- videot që lëshohen automatikisht pa ndalesë;
- funksione si “streaks” në Snapchat, që i shtyjnë përdoruesit të qëndrojnë aktivë vazhdimisht.
Sipas ekspertëve, këto elemente janë krijuar për të rritur kohën që përdoruesit kalojnë në platformë dhe për të mbajtur vëmendjen e tyre sa më gjatë.
Evropa po vendos kufizime, Kosova ende pa kontroll
Ndërsa shyumë shtete po ndërmarrin hapa konkretë për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, Kosova mbetet ende pa mekanizma funksionalë kontrolli. Australia ka nisur hapa drejt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç. Franca ka vendosur kufizime për përdoruesit nën 15 vjeç, duke kërkuar pëlqim prindëror dhe verifikim Smë të rreptë të moshës.
Ndërkohë, Britania e Madhe dhe disa vende të tjera evropiane po testojnë kufizime të kohës së përdorimit dhe sisteme më të avancuara të kontrollit prindëror.
Derisa shtetet e tjera po përpiqen ta frenojnë ndikimin e rrjeteve sociale tek fëmijët, në Kosovë beteja duket ende e pabarabartë —S me algoritmet që funksionojnë më shpejt se vetë institucionet.


