Shiten pranë shkollave, përfundojnë në spitale
Kosova ende pa kontroll për pijet energjike
Në markete, kioska apo pika shitjeje krejt afër shkollave, pijet energjike janë bërë pjesë e përditshmërisë për shumë të rinj në Kosovë. Adoleshentë që i konsumojnë gjatë orëve të mësimit, para provimeve apo edhe natën vonë, shpesh pa qenë të vetëdijshëm për ndikimin që këto produkte mund të kenë në organizmin e tyre.
Derisa konsumimi i tyre po rritet, Institucionet në Kosovë ende nuk kanë arritur ta miratojnë një ligj që do ta kufizonte shitjen e tyre për të miturit.
Mjekët paralajmërojnë se konsumimi i vazhdueshëm i pijeve energjike po lidhet gjithnjë e më shpesh me probleme serioze shëndetësore, sidomos tek të rinjtë. Kardiologu Rinor Bejiqi thotë se efektet negative të këtyre produkteve mund të jenë afatgjata dhe të rrezikshme. “Konsumimi afatgjatë i pijeve energjike, sidomos tek adoleshentët, ka ndikim shumë negativ. Fillon nga obeziteti për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit dhe karbohidrateve, pastaj çrregullimet e ritmit të zemrës dhe hipertensioni arterial për shkak të kafeinës dhe taurinës, të cilat janë substanca stimuluese që ndikojnë drejtpërdrejt në zemër”, thotë ai.
Sipas tij, ndikimi nuk kufizohet vetëm në aspektin fizik. “Këto produkte kanë ndikim edhe në gjendjen psikologjike, duke u lidhur me stresin, ankthin dhe çrregullimet emocionale”, shton Bejiqi.
Mjekët thonë se rastet e të rinjve që kërkojnë trajtim për probleme të zemrës apo shqetësime të lidhura me konsumimin e tepërt të pijeve energjike janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.
“Kemi dy ose tri raste pothuajse çdo javë të pacientëve që paraqiten me probleme si pasojë e konsumimit të vazhdueshëm të pijeve energjike”, paralajmëron kardiologu.
Pijet energjike pranë shkollave
Përkundër shqetësimeve të vazhdueshme të mjekëve, pijet energjike vazhdojnë të shiten lirshëm, madje edhe pranë shkollave.
Një pije energjike mund të blihet për rreth 70 centë — një çmim lehtësisht i përballueshëm për shumicën e të miturve — dhe mund të merret pa asnjë kontroll apo kufizim moshe. Në shumë raste, këto produkte shiten vetëm pak metra larg institucioneve arsimore, ku nxënësit kanë qasje të drejtpërdrejtë gjatë pushimeve apo pas mësimit. Pikërisht kjo ka ngritur shqetësime të reja tek ekspertët e shëndetit publik, të cilët thonë se konsumimi i këtyre produkteve po normalizohet tek të rinjtë.
Pijet energjike promovohen vazhdimisht në rrjete sociale, përmes influencuesve apo reklamave që i lidhin ato me energjinë, suksesin dhe stilin modern të jetesës.
Madje, në disa raste, promovimi i tyre shfaqet edhe në programe apo përmbajtje që ndiqen nga fëmijët dhe adoleshentët.
Ligji ende nuk është miratuar
Pavarësisht diskutimeve që zgjasin prej vitesh, Kosova ende nuk ka një ligj të miratuar për ndalimin e shitjes së pijeve energjike për personat nën moshën 18- vjeçare. Nismat për rregullimin e kësaj fushe kanë nisur që në vitin 2019, por për vite me radhë projektligji nuk është trajtuar seriozisht në Kuvendin e Kosovës. Vetëm më 5 dhjetor 2024, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim Projektligjin për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat nën 18 vjeç. Megjithatë, ligji ende nuk është miratuar përfundimisht. Projektligji parasheh:
- ndalimin e shitjes së pijeve energjike për personat nën 18 vjeç;
- kufizimin e reklamimit të tyre;
- vendosjen e paralajmërimeve shëndetësore në ambalazh;
- dhe masa ndëshkuese për subjektet që nuk respektojnë ligjin.
Por deri atëherë, pijet energjike vazhdojnë të jenë lehtësisht të qasshme për të rinjtë.
Importi bie dhe rritet sërish
Sipas të dhënave të publikuara nga Dogana e Kosovës, importi i pijeve energjike ka pasur luhatje gjatë viteve të fundit. Pas pandemisë, në vitin 2022 është regjistruar niveli më i lartë i importit — rreth 4.4 milionë njësi të importuara.
Në vitet 2023 dhe 2024 është vërejtur rënie e importeve, pikërisht në periudhën kur nisi debati publik për kufizimin e këtyre produkteve. Por gjatë vitit 2025, importi i pijeve energjike ka shënuar sërish rritje. Megjithatë, edhe pse konsiderohen produkte me rrezik potencial për shëndetin, pijet energjike ende nuk kategorizohen me kode të veçanta në sistemin tatimor të Kosovës.
Sipas Administrata Tatimore e Kosovës, kompanitë që importojnë apo shesin këto produkte nuk identifikohen në mënyrë specifike, pasi tregtimi i tyre bëhet nga shumë markete dhe biznese ushqimore.
Ndërgjegjësimi mbetet mbrojtja e vetme
Derisa ligji vazhdon të mbetet në pritje, ekspertët e shëndetit publik thonë se informimi dhe ndërgjegjësimi mbeten mbrojtja kryesore për të rinjtë. Ata paralajmërojnë se konsumimi i tepërt i pijeve energjike nuk duhet të shihet si trend apo stil jetese, por si një rrezik real për shëndetin fizik dhe mendor. Dhe derisa institucionet vazhdojnë diskutimet për ligjin, pijet energjike vazhdojnë të konsumohen çdo ditë nga fëmijë dhe adoleshentë — shpesh pa asnjë kufizim dhe pa asnjë paralajmërim real për pasojat që mund të lënë në organizmin e tyre.


